Ka buxhet të mjaftueshëm për vaksina, por është dashur të negociohet më herët


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ia ka hedhur fajin Qeverisë Hoti për vonesën e sigurimit të vaksinave kundër COVID-19, pasi që, sipas tij, nuk kanë negociuar me herët me kompanitë prodhuese.

Vitia deklaroi se tanimë janë në kontakt me kompanitë dhe paralajmëroi se së shpejti mund të ketë lajme të mira nga bisedat me kompanitë që prodhojnë vaksinat kundër COVID-19.

“Qeveria ka ndarë mjaftueshëm buxhet për blerjen e vaksinave por ky proces nuk është edhe i thjeshtë, në kuptimin se duhet të negociohet më kompanitë prodhuese të cilat kanë disa kritere në këtë proces nga ajo që të kontaktohen shumë më herët. Tani jemi në kontakt, kemi intensifikuar bisedat, mund të them se së shpejti mund të kemi lajme të mira në raport me disa nga këto kompani që do ta mundësojnë që të blejmë vaksinat nga ta”, u përgjigj Vitia në pyetjen e KALLXO.com gjatë konferencës së tij për media sot.

Ai theksoi se një donacion tjetër nga COVAX, me 76 mijë vaksina, pritet të vijë në fund të prillit ose në fillim të majit.

Më 27 mars, një kontingjent prej 24 mijë vaksinave të AstraZeneca kanë arritur në Kosovë.

Aktualisht po vaksinohet personeli shëndetësor.